Sikurse shumica e njerëzve të tjerë në Gaza, Eid al-Attar, mësues nga veriu i vendit, kalon ditë të tëra për të siguruar ushqim për familjen e tij. Të zhvendosur qe tetë here qëkur shpërtheu lufta mes Izraelit dhe Hamasit në muajin tetor, 42-vjeçari bëri më të mirën e mundshme për të mbrojtur fëmijët e tij nga konflikti. Por aktualisht Gaza po përballet me një rrezik të ri: virusin shumë infektues dhe potencialisht vdekjeprurës, poliomielitin.
“S’mund të mbrojmë fëmijët tanë. Ne i ekspozohemi vdekjes në çdo moment për shkak të bombardimeve të vazhdueshme dhe pasigurisë. Dhe s’mund t’i mbrojmë fëmijët as nga sëmundja”, deklaroi ai.
“Ne jetojmë në tendë, e cila nuk na mbron nga asgjë. Nuk ka ilaçe, ka mbeturina gjithandej dhe rrugët janë përplot me ujëra të zeza”.
Fushata e bombardimeve e Izraelit në Gaza ka shkatërruar sistemin shëndetësor të territorit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se 31 nga gjithsej 36 spitale janë shkatërruar.
Rreth 90% e 2.3 milionë banorëve që jetojnë në Gaza janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ku shumica e tyre jetojnë në kampe të stërmbushura me njerëz dhe të papastra. Hepatiti, pneumonia dhe sëmundjet diarreike si dizenteria, si dhe zgjebat e morrat janë përhapur tashmë./UBTNews/