UBT News

Smith: Pavarësia e Kosovës është njohje e realitetit, edhe vetë Vuçiq është i vetëdijshëm

Eksperti britanik për marrëdhënie ndërkombëtare, Daniel Smith, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin vetë Vuçiq është i vetëdijshëm.

Smith është shprehur se Vuçiq po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja.

“Rrjedhimisht, derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiq do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin vetë Vuçiq është i vetëdijshëm”, ka thënë ai gjatë një interviste për “Danas”.

Ai ka thënë se Perëndimi është i interesuar që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka potencuar se kjo është e qartë se kërkon një kompromis nga të dyja palët.

“Ajo që Perëndimi duhet të ketë parasysh është se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj, karakterin unik dhe multietnik të shtetit të Kosovës. Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin. Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë”, ka vijuar ai.

Ai ka shtuar se Vuçiq është i interesuar “të përdorë serbët e Kosovës si skllevër të tij personal, për të forcuar nacionalizmin, për vota dhe për të qëndruar në pushtet”.

Exit mobile version