iPhone 6S në Shtator mbush 6 vite. Nëse ende e keni një telefon të tillë, atëherë Apple ka lajme të mira për ju, telefoni do të marrë përditësimin iOS 15 kur të mbërrijë këtë Vjeshtë.
iPhone 6S, 6S Plus dhe gjenerata e parë e iPhone SE të cilët kanë debutuar me iOS 9 do të jenë ndër modelet më të vjetra të Apple që marrin një përditësim të sistemit operativ.
Gjashtë vite është një kohë e gjatë për një pajisje mobile dhe iPhone 6S mund të jetë iPhone më i mbështetur deri më sot me përditësime.
iPhone 5S mbijetoi për 5 vite dhe përditësimi i fundit që mori ishte iOS 12 por nuk arriti dot në iOS 13.
6 vite mbështetje sigurie përfshirë edhe sisteme të reja operativ është diçka e pazakontë. Megjithatë disa veçori nuk do të funksionojë me 6S si tekst live në foto, modaliteti portret në FaceTime apo drejtimet e reja në Apple Maps, funksione të cilat kanë nevojë për procesorin e fundit A12 Bionic.
Është e mundur gjithashtu që sistemi i ri operativ të ngadalësojë telefonin me një procesor modest nëse e krahasojmë me sot por ndër më të fuqishmit për kohën.
Në fund shqetësim i madh mbetet jetëgjatësia e baterisë së telefonit ndërsa funksione si Widgets do të jenë të vështira të përdoren në një smartfon me ekrane 4.7-inç. /PCWorld Albanian