UBT News

Skenderaj, komuna më transparente në vitin 2022

Komuna e Skenderajt është më transparentja për vitin 2022, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që të mërkurën ka publikuar “Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale”.

KDI-ja në një konferencë për media bëri të ditur se komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla: 1. transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2. transparenca buxhetore, 3. transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4. përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5. qasja në dokumente publike, 6. përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7. menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.

Diana Metushi – Krasniqi nga KDI ka thënë se indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit Komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë).

Metushi – Krasniqi ka thënë se vetëm në sektorin e prokurimit publik nëpër komuna ka një rritje të transparencës prej 20 për qind.

“Transparenca e përgjithshme në këta 87 indikator dhe 8 shtylla të politikave të qeverisjes lokale në vitin 2022 është 68 për qind. Kemi 12 për qind mesatarisht rritje prej matjeve të vitit 2021 që nënkupton një vullnet të mirë për komunat për të rritur transparencën dhe llogaridhënien kundrejt qytetarëve të tyre. Shohim se kemi një rritje prej 20 për qind në sektorin e prokurimit publik, vetëm 2 për qind rritje në shtyllën e transparencës buxhetore. Po ashtu kemi rritje edhe në qasjen në dokumentet publike dhe informacionit publik me pjesëmarrjen publike, ndërsa rritja më e madhe është vërejtur në shtyllën e transparencës për ndërmarrjet publike dhe organizatat komunale”, theksoi ajo.

Kristína Kroková nga Transparency International – Slovakia theksoi që është e mahnitur të shohë progresin që komunat në Kosovë po arrijnë nga viti në vit. Ajo potencoi që komunat në Sllovaki nuk kanë pasë progres të përnjëhershëm si në rastin e Kosovës, dhe sipas matjeve të tyre nga viti 2012 progresi nuk ka kaluar 25%-shin

“Synimi ynë është që të zvogëlojmë korrupsionin duke e rritur transparencën në përfshirjen e qytetarëve dhe duke fuqizuar proceset dhe zvogëlimin e burokracive të shumta. Që nga vitit 2010, për çdo dy vjet publikojmë renditjen e 100 komunave më të mëdha në Sllovaki dhe këtë e bëjmë duke vlerësuar në më shumë se 109 indikator. Transparenca që nga fillimi e deri më tani është rritur për 23 për qind”, theksoi ajo.

Katër komunat veriore, Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku dhe Zveçani, kanë pikët më të ulëta sa i përket transparencës.

KDI inkurajon të gjitha komunat të analizojnë ku çalojnë sa i përket matjeve të 2022 dhe të përkushtohen për të përmbushur standardet e transparencës gjatë viteve në vijim.

Exit mobile version