UBT News

​“S’kemi tokë për të humbur”, Osmani thotë se Serbia po synon minimin e stabilitetit

Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen, tha presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve. Krahas kësaj, theksoi ajo, “po shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato”.

E para e vendit foli edhe për agresionin serb në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të agresionit serb, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe dashakeqëve se Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur dhe se mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”, tha ajo para deputetëve.

Ajo theksoi se Serbia po vazhdon përpjekjet e saj drejt shkatërrimit të vendeve fqinje.

Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme, duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje”, shtoi ajo.

Vizioni për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të integruar plotësisht në familjen euroatlantike, Osmani tha se mbetet prioritet.

Besoj fuqishëm se fatet e shteteve dhe kombeve janë të lidhura ngushtë me vizionin e liderëve të tyre. Ajo që më bën gjithmonë krenare për Kosovën është se, që nga presidenti Rugova dhe deri në ditët e sotme, edhe pse ka pasur ndasi politike, ne kemi qenë gjithmonë të bashkuar në një qëllim të përbashkët: vizioni për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të integruar plotësisht në familjen euroatlantike. Ky është orientimi ynë i padiskutueshëm, dhe e konfirmojnë qartë rezultatet e anketave nga institutet më prestigjioze, si ato ndërkombëtare ashtu edhe ato vendore. 97% e qytetarëve tanë besojnë në të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Andaj, drejtimi ynë është i qartë: na mbetet të punojmë fort për të arritur sa më shpejt në këtë destinacion”, u shpreh ajo teksa shtoi se derisa viti 2024 po mbyllet, ka shpresë të palëkundur për të ardhmen e vendit”, tha ajo.

Exit mobile version