UBT News

Skema piramidale dhe bixhoz ilegal në Vushtrri, Policia bastis një lokal

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në qytetin e Vushtrrisë, duke zbuluar një lokal ku zhvillohej veprimtari e jashtëligjshme e bixhozit dhe skemave piramidale.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSh), kanë realizuar bastisjen në rrugën “Blerim Zuqaku”, gjatë së cilës janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që përdoreshin për lojëra fati dhe bixhoz.

“Nën dyshimin e bazuar për veprimtari të dyshimta, hetuesit e Sektorit Rajonal te Hetimeve në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh) në orët e mbrëmjes se datës 23 tetor 2025, në rrugën “Blerim Zuqaku“ në Vushtrri , kanë realizuar bastisje në një lokal ku zhvillohej veprimtari e kundërligjshme ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar aparate dhe mjete të ndryshme që shërbejnë për lojëra fati e bixhozi. Gjësendet e sekuestruara do të shërbejnë si dëshmi materiale dhe janë proceduar në rastin në fjalë.

Lidhur me rastin në cilësi të të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit i cili pas intervistimit është liruar ne procedurë te rregullt.

Ndaj të dyshuarit është iniciuari rasti për dyshimin e kryerjes së veprës penale ’’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet më tej./S.K/PK/

Exit mobile version