UBT News

Skechers ka prodhuar atlete për fëmijë që shumë prindër i ëndërrojnë

Skechers sapo ka prezantuar një model atlete për fëmijë, që është ëndërr për shumë prindër.

Bëhet fjalë për modelin e quajtur Find My Skechers, i destinuar për fëmijë të moshës nga një deri në dhjetë vjeç, i cili përmban një ndarje për Apple AirTag nën thembër.

Nëse për prindërit nuk është e mjaftueshme që të ndjekin fëmijët e tyre përmes Snapchatit apo orëve të mençura (smartwatch), tani mund të vendosin një AirTag në këpucët e tyre.

Megjithatë, fëmijët, për shembull ata 10-vjeçarë, mund ta kuptojnë lehtësisht që po mbajnë një model të tillë atlete, dhe duke qenë se shumë prej tyre përdorin telefona të mençur, mund të marrin edhe një njoftim që tregon se një AirTag ndodhet pranë tyre.

Përveç kësaj, një studim ka treguar se përdorimi i teknologjisë digjitale për ndjekjen e vendndodhjes së fëmijëve në fakt çon në sjellje më të pabindura nga ana e tyre. Nga ana tjetër, AirTag-u mund të ndihmojë në gjetjen e atleteve të harruara në shkollë, në kamp apo tek ndonjë mik. Përdorues të internetit kanë përmendur se një model i tillë do të ishte i dobishëm edhe për të moshuarit që mund të humbasin rrugën.

Në reklamën për atletet thuhet se ato kanë një “ndarje të fshehur në mënyrë të zgjuar dhe të sigurt”, ku prindërit mund të fshehin AirTag-un, dhe se ai nuk pengon në ecje. Atletet mund të lahen në lavatriçe dhe tashmë janë në shitje – por AirTag-u nuk përfshihet me to.

Exit mobile version