UBT News

Skandali në Premiere League, pezullohet gjyqtari që “urren” Liverpool-in

Pak orë pas kësaj videoje në të cilën gjyqtari britanik i futbollit David Coote shfaqet duke ofenduar ekipin e Liverpool-it dhe trajnerin Klopp, Federata Angleze e Futbollit ka marrë vendimin për pezullimin e tij.

Gjyqtari në fjalë, i cili karrierën e tij e ka nisur që në moshën 16-vjeçare dhe cilësohej ndër më të mirët në kampionatin anglez, u shfaq në një video ku ofendonte trajnerin Klopp dhe ekipin e Liverpool-it, duke përmendur episode nga një prej përballjeve në të cilën kishte gjykuar të kuqtë.

Videoja ende nuk dihet se kur është filmuar, dhe për këtë, autoritetet angleze kanë nisur një hetim, e me gjasa dënimi ndaj 42-vjeçarit pritet të jetë edhe më i ashpër. Videoja e shpërndarë lidhet me një ndeshje të vitit 2020 mes Liverpool-it dhe Burnley-t e mbyllur në barazim 1-1. Asokohe, të besuarit e Klopp-it gëzonin një formë fantastike dhe ndalesa në fjalë irritoi lojtarët, por më tepër se lënia e 2 pikëve, ishin vendimet e Coote ato të cilat sollën reagime të shumta.

Fillimisht lojtarët dhe më tej trajneri Klopp kundërshtuan vendimet e gjyqtarit, i cili njihet edhe për episode të tjera në të cilat ka bërë gjykim të njëanshëm. Kujtojmë se 42-vjeçari në fjalë ishte gjyqtar kryesor fundjavën që lamë pas në ndeshjen Liverpool-Aston Villa.

Exit mobile version