Beogradi rezulton se ishte pikndalesa ku EULEX-i dërgoi dhjetëra dosje për krimet e luftës në Kosovë.
EULEX fillimisht e mohoi këtë fakt, por më pas konfirmoi për bashkëpunim me Serbinë për disa raste të krimeve të luftës. Ky mision tha se këtë e bëri në prani të prokurorëve kosovarë.
Edhe pse Prokuroria e Serbisë mori dhjetëra dosje nga EULEX-i, për masakrat në Kosovë, atje u iniciua vetëm një rast.
Të gjitha këto pretendime do t’i tregojë para Kuvendit të Kosovës, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.
Se EULEX-i dërgoi dosje në Serbi, e konfirmoi edhe ish-prokurorja e këtij misioni, Maria Bamieh. Këtë e bëri në vitin 2019, në intervistë për emisionin Udhëve në televizionin publik.
“Kam treguar se të gjitha dosjet e serbëve për krimet e luftës janë dërguar nga EULEX-i për hetime në Serbi. Kjo është e vërtetë. Nuk i di numrat apo emrat e lëndëve, por e di se të gjitha lëndët ku të dyshuar janë serbët janë kthyer në Beograd”, kishte thënë ajo.
Nëse do të kishte ftesë, ish-prokurorja Bamieh, tani deklaron për RTK-në se është e gatshme të raportojë në Kuvendin e Kosovës, për skandalet në EULEX-it.
“Nëse do të ftohesha, do të isha e lumtur dhe e nderuar të jap dëshminë time para Kuvendit të Kosovës”, thotë Bamieh.
Ndërkohë, dorëzimi i dosjeve në Beograd nga EULEX-i, sipas avokatëve në Kosovë, nuk ishte strategji e duhur e këtij misioni.
“Besoj që Serbia e ka keqpërdor EULEX-in që me arsyetim se po i gjykojmë kriminelët në Serbi, kanë marrë dosje e dokumente nga EULEX-i, dhe pastaj ato i kanë përpunuar dhe mendoj që i kanë shfrytëzuar kundër qytetarëve të Kosovës, pasi dihet qëllimi i tyre”, ka thënë Hodaj.
Data se kur do të raportojë Malcom Simmons në Kuvend, ende nuk është vendosur.