Pas diskutimeve dhe debatit të nxehtë në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”, në kuvendin e Kosovës propozuesi i interpelancës, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka propozuar një Rezolutë që shtesat për këto kategori të kthehen në shumën e njëjtë paraprake.
Megjithatë, kjo rezolutë nuk ka kaluar në Kuvend, pasi që vetëm 22 deputetë kanë qenë për, 56 kundër dhe 1 abstenim.
“Rezolutën e kemi propozua me dy rreshta, kërkojmë që shtesat për pensionistët, për punëtorët shëndetësor, për institucionet e sigurisë dhe për kategoritë tjera që kanë përfituar nga shestat gjatë kësaj periudhe që kanë përfituar gjatë kësaj kohe pandemie të kthehen në shumën e njëjtë paraprake, pikë. Çka bëhet në këtë seancë të nderuar ministër i financave, e zëvendës kryeministër. Folët për popullizëm. Po a ka more ma popullzim se me dalë e me lyp votën dhe me thënë se po i rritim ‘penziat’ e me shkua derë më derë e takuat çdo sindikatë dhe në fund me ardhur me na thënë nuk ka buxhet”, tha Tahiri.
Kuvendi ka miratuar Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 formimin e komisioneve parlamentare, ndërsa tash është duke votuar për zgjedhjen e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit./kp/