Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit, pasi partitë opozitare lëshuan sallën plenare në momentin kur dështoi kalimi i mocionit për debat parlamentar për përgjimet ku implikohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish nënkryetari i Listës Serbe, terroristi, Milan Radoiçiq.
Pro mocionit të opozitarëve ishin 34 deputetë, ndërkaq 50 sosh votuan kundër. Pas kësaj opozita lëshoi sallën, mirëpo paraprakisht u tha se do të thirret një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar për këtë temë.
“Duhet ta bëjmë këtë me seancë të jashtëzakonshëm me 40 nënshkrime”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Me këtë gjë u pajtua edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se kjo është rruga e duhur për të diskutuar për çdo pretendim të opozitës.
“Po ajo është me lehta. Ashtu shkohet me procedura të rregullta. S’ka mundësi veç një mëngjes po na kujtohet dhe dëshirojmë me bërë debat të caktuar”, theksoi ai.
Pas largimit të opozitarëve në seancë ishin vetëm 60 deputetë, rrjedhimisht s’kishte kuorum për vendimmarrje dhe kryeparlamentari Konjufca mbylli seancën plenare.