Për herë të parë pas tri javësh, kryeministri indian, Narendra Moodi shprehu shqetësimin e tij për valën e dytë të pandemisë.
Dhjetëra mijëra persona kanë vdekur, ndërkaq spitalet po përballen me mungesë të mjeteve elementare mjekësore, në pamundësi për ta përballuar rritjen e madhe të pacientëve.
“Para nesh është një armik i padukshëm, armik me shumë fytyra. Për shkak të koronavirusit, i kemi humbur më të dashurit tanë”, deklaroi ai.
Kjo është hera e parë që kryeministri u adresua publikisht pas krizës që përfshiu vendin në tri javët e fundit. Në adresimin e fundit në muajin prill, Modi insistonte që vendi nuk duhet të mbyllej pavarësisht rritjes së rasteve me COVID-19.
Qeveria e tij u kritikua ashpër për mënyrën se si iu përgjigj valës së dytë teksa qindra persona kanë vdekur si pasojë e mungesës së oksigjenit, shtretërve dhe barnave. Megjithatë ai e arsyetoi Qeverinë e tij.
“Në pjesë të ndryshme të vendit, spitalet COVID po ndërtohen shpejt. Duke përdorur teknologjinë e re, ne jemi duke vendosur impiantet e oksigjenit. Në zona të largëta të vendit, trenat e oksigjenit po punojnë për furnizim me oksigjen”, deklaroi ai mes tjerash.
Kryeministri indian arsyetoi edhe planin e vaksinimit, duke thënë se 180 milionë vaksina janë administruar në të gjithë vendin. Ai apeloi indianët që të vaksinohen sapo t’u vijë rendi. Por meqë shumë shtete indiane kanë pezulluar fushatën e vaksinimit për shkak të mungesës së vaksinave, Modi tha se “India nuk është vend që i humb shpresat”.
“As India as indianët nuk duhet t’i humbin shpresat. Ne do të luftojmë dhe do të fitojmë”, deklaroi ai.
Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Indi ka shkuar në mbi 24 milionë./UBTNews