Situata e përgjithshme në veri të vendit mbetet e njëjtë. Rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Ndërsa dyqanet dhe shkollat në veri të vendit po qëndrojnë të mbyllura.
Afër fshatit Zupç në drejtim të kufirit të Bërnjakut ndodhen dy kamionë dhe një xhip të vendosura nga bandat serbe që pengojnë qarkullimin e automjeteve në këtë drejtim.
Dy automjete të KFOR-it herë pas here po qëndrojnë afër kësaj barrikade.
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në katër komunat veriore të Kosovës, por edhe studentët, vazhdojnë të mos mbajnë mësim.
Po ashtu shumë dyqane në veri të Mitrovicës janë të mbyllura, përveç barnatoreve dhe dyqaneve me artikuj ushqimorë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ju ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.