UBT News

Situata në veri, Kurti thotë se Rusia po nxit tensione

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se Rusia po nxit tensione mes shtetit të tij dhe Serbisë, pas çalimit të luftës në Ukrainë, në periudhën kur Beogradi i ka kërkuar NATO-s kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë.

Në një intervistë për mediumin britanik The Guardian, Kurti deklaroi se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat”, tha ai. “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”.

Ai ka shtuar se edhe ShBA-ja dhe BE-ja pajtohen që barrikadat duhet të hiqen.

“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet mes Beogradit dhe Moskës. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, citohet të ketë thënë Kurti.

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar edhe 11 ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq./UBTNews/

Exit mobile version