UBT News

Situata në veri, eurodeputetja Burkhard mbështet Kosovën: ShBA dhe KE të ndryshojnë rrugën

Zëvendëskryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën, Delara Burkhardt është takuar dje në Francë me presidenten Vjosa Osmanin, me ç’rast kanë biseduar për situatën në Kosovë.

Burkhard ka mbështetur Qeverinë e Kosovës lidhur me veprimet e fundit në veri të Kosovës, derisa ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar me qasjen karshi Kosovës.

“Ne socialistët dhe demokratët në Parlamentin Evropian qëndrojmë fuqishëm në anën e Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit. SHBA-të, si dhe Komisioni Evropian po marrin rrugën e gabuar në konfliktin Kosovë-Serbi, në mënyrë që ta lidhin Serbinë më ngushtë me kampin euroatlantik. Kjo politikë injoron rolin destabilizues të regjimit të Vuçiqit, i cili instrumentalizon rregullisht pakicat serbe në rajon për të vepruar kundër qeverive kombëtare në Ballkanin Perëndimor dhe shtetit të Kosovës. Kjo është dritëshkurtër”, është shprehur ajo.

Eurodeputetja e SPD-së, Burkhard ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Evropian duhet ta ndryshojnë rrugën e tyre. Ajo e ka konsideruar të mirë planin pesë-pikësh të kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin në veri.

“SHBA dhe Komisioni Evropian duhet të ndryshojnë rrugën e tyre. Ne duhet të emërtojmë dhe të kundërveprojmë politikën e jashtme destabilizuese të Serbisë në mënyrë që të mbështesim Republikën Demokratike të Kosovës të drejtuar nga vlerat e BE-së. Plani 5-pikësh i qeverisë Kurti është një pikënisje e mirë”, ka shtuar tutje ajo.

Exit mobile version