Kosova shënoi 398 raste me COVID-19 të dielën, shifër kjo më e larta për këtë vit kalendarik. Kjo ka bërë që të ngritet alarmi si nga institucionet shëndetësore, por edhe në mesin e qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të mblidhet Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Covid-19. Ky takim që do të kryesohet nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe do të mbahet me fillim prej orës 11:00.
“Sot, nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, do të mbahet takimi i Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID 19”, thuhet shkurt në njoftim.
Ndryshe, IKSHPK thotë se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga virusi vazhdon të jetë i lartë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës së masave.
Aktualisht në Kosovë janë 6 mijë e 639 raste aktive me COVID-19.