Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka bërë një thirrje urgjente për qytetarët e vendit nga foltorja e Kuvendit, duke kërkuar një angazhim më të madh në luftën kundër zjarreve. Në një deklaratë të mbajtur sot, Balla ka theksuar nevojën për një bashkëpunim të ngushtë për të ndihmuar autoritetet në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për zjarrvëniet.
Balla ka shprehur shqetësimin e tij mbi dëmet e shkaktuara nga zjarret, duke nënvizuar se, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë arritur të mbrojnë shumë banesa, dëmet në pemëtari, kullota dhe pyje janë jashtëzakonisht të mëdha. “Kam pasur një takim me gjykatat javën e kaluar dhe kam kërkuar që dënimet ndaj zjarrvënësve të jenë ekzemplare,” tha ai.
Në vazhdim, Balla ka apeluar për një reflektim të gjithanshëm nga publiku dhe komunitetet, duke theksuar se ndihma dhe angazhimi i qytetarëve janë të domosdoshme. Ai ka përmendur edhe mungesën e angazhimit vullnetar në Kavajë, ku forcat zjarrfikëse nuk ishin të pranishme në përballimin e flakëve. “I kam kërkuar Bashkive të angazhojnë edhe punonjës të strukturave të bashkive në mbështetje të ekipeve zjarrfikëse,” theksoi Balla.
Ministri ka nënvizuar se me vetëm 1300 zjarrfikës në të gjithë vendin, është e pamundur që këto ekipe të përballojnë vetëm me burimet e tyre situatat emergjente. Ai ka bërë thirrje për solidarizim dhe angazhim nga të gjithë qytetarët për të mbështetur forcat zjarrfikëse në përpjekjet e tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar komunitetet nga zjarret.
Deklarata e Ballës është një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e qytetarëve në një kohë kur Shqipëria po përballet me një situatë emergjente për shkak të zjarreve të shumta që kanë shpërthyer në të gjithë vendin./UBTnews/