Sistemi shëndetësor i Gazës është i gjunjëzuar dhe pranë kolapsit total, tha në një deklaratë të mërkurën drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Gaza nuk mund të përballojë të humbasë më spitale…dhe një tjetër është në prag të mbylljes. Kjo do të privojë mijëra njerëz nga kujdesi thelbësor për shpëtimin e jetës”, shtoi ai në një deklaratë tjetër duke iu referuar spitalit Kamal Adwan në Gazën veriore.
Sipas CNN, dy ditë më parë, Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah akuzoi ushtrinë izraelite se kishte vënë nën rrethim spitalin Kamal Adwan. Në deklaratat e mëparshme, Izraeli kishte thënë se synonte infrastrukturën e Hamasit në rrip.
OBSH ka raportuar të paktën 212 sulme në sektorin shëndetësor të Gazës që nga 7 tetori. Si rezultat, vetëm 14 spitale funksionojnë pjesërisht dhe tre funksionojnë minimalisht në rrip, ndërsa 19 kanë dalë jashtë shërbimit, shtoi shefi i OBSH-së.
Ministri palestinez i Shëndetësisë Mai Al-Kaila tha të martën se asnjë nga spitalet në Gazën veriore nuk mund të akomodojë operacione kirurgjikale, ndërsa kapaciteti ka tejkaluar 216% në spitalet në jug.