Komisioni Evropian ka njoftuar se nga data 10 nëntor 2024, në shtetet e zonës Shengen do të hyjë në fuqi një sistem i ri elektronik për kontrollin e pasaportave për pasagjerët që nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian. Ky sistem i ri, i njohur si Sistemi i Hyrjes/Daljes (EES), do të automatizojë regjistrimin e udhëtarëve nga vendet e treta sa herë që ata kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së.
EES do të regjistrojë informacionet kryesore të udhëtarëve, përfshirë emrin, llojin e dokumentit të udhëtimit, si dhe të dhënat biometrike si gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës. Ky sistem synon të përmirësojë efikasitetin dhe të reduktojë kohën e pritjes në kufi.
“Ne po ndërtojmë një sistem të ri që do të mundësojë ndërveprimin mes bazave të të dhënave dhe do të përmirësojë përvojën e vizitorëve në Evropë. Me këtë sistem, ne do të largojmë nevojën për kontrollin manual të pasaportave dhe do të shpejtojmë procesin e hyrjeve dhe daljeve,” tha Anita Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Sistemi i Hyrjes/Daljes u krijua në nëntor 2017, por implementimi i tij është shtyrë disa herë. Ky sistem do të aplikohet për shtetasit e rreth 60 vendeve, përfshirë ata të Ballkanit Perëndimor.
Pasaportat në vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë biometrike dhe përmbajnë të dhënat e kërkuara, duke u siguruar që këto vende të përmbushin standardet e BE-së për regjimin pa viza./UBTNews/