UBT News

Sistemet e Informacionit në praktikë – Drejtori i Riga Pharm, Herolind Bajraliu, ligjëron në Global UBT Fest

Në kuadër të Global UBT Fest – Akademia Verore 2025, programi Sistemet e Informacionit mirëpriti një ligjërues të veçantë nga sektori i industrisë farmaceutike –Herolind Bajraliu, Drejtor i Përgjithshëm i Riga Pharm. Ai ndau përvojën dhe praktikat më të mira të kompanisë në menaxhimin e avancuar të sistemeve të informacionit, me fokus të veçantë në funksionimin e Depot Qendrore të Riga Pharm.

Gjatë ligjëratës, Bajraliu prezantoi mënyrën se si sistemet moderne të informacionit janë integruar në proceset logjistike dhe të menaxhimit të stokut, duke siguruar gjurmueshmëri të plotë për çdo njësi produkti. Përmes këtij sistemi të përparuar, Riga Pharm është në gjendje të dijë në kohë reale vendndodhjen dhe sasinë e çdo produkti farmaceutik, duke mundësuar një menaxhim të stokut me efikasitet dhe saktësi të jashtëzakonshme.

Ligjërata përfshiu edhe shembuj konkretë mbi mënyrën se si Sistemet e Menaxhimit të Informacionit (SMI) ndihmojnë në automatizimin e proceseve të porositjes, shpërndarjes, kontrollit të afateve të skadencës dhe raportimit të saktë për vendimmarrje strategjike. Ky integrim i teknologjisë është në përputhje me vizionin e Riga Pharm për cilësi, transparencë dhe përgjegjësi në furnizimin me produkte farmaceutike.

Për studentët e programit Sistemet e Informacionit, kjo ligjëratë ishte një mundësi unike për të parë nga afër aplikimin praktik të teorisë së mësuar – dhe për të kuptuar më mirë rolin kritik që luajnë sistemet digjitale në menaxhimin efikas të një ndërmarrjeje bashkëkohore.

Exit mobile version