UBT News

Sirianët largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar luftës por vriten në Liban

Më shumë se 100 refugjatë sirianë janë vrarë që kur Izraeli filloi bombardimet masive në Liban gjatë ditëve të fundit, përfshirë 23 gra dhe 32 fëmijë.

Ndërkohë, Ali Kousas, kryetari i bashkisë së qytetit libanez Yunin  tha sot se të paktën 23 refugjatë sirianë,kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë gjatë natës së kaluar nga një sulm izraelit në një ndërtesë trekatëshe.

Sipas Kousas, tetë persona të tjerë u plagosën. Sirianët që ikën në Liban për t’i shpëtuar luftës në vendin e tyre tani po përballen me sulme të rënda izraelite, tha në një deklaratë Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Ata janë të detyruar të zgjedhin midis qëndrimit në Liban ose të kthehen në zonat e kontrolluara nga qeveria të Sirisë, ku rrezikojnë arrestimin ose rrëmbimin.

Rreth 1.5 milionë refugjatë sirianë jetojnë në Liban, me shumë prej tyre të pastrehë për shkak të kostos së lartë të jetesës. Për shkak të sulmeve izraelite, edhe më shumë refugjatë nga Siria kanë përfunduar duke fjetur në parqe ose në rrugë.

Përveç kësaj, disa refugjatë që jetojnë në Libanin lindor u kthyen në Siri ditët e fundit, 14 vjet pas fillimit të luftës civile. Sipas të dhënave të OKB-së, që nga tetori 2023, për shkak të sulmeve izraelite në Liban, rreth 200,000 njerëz janë zhvendosur./UBTNews/

 

 

 

Exit mobile version