UBT News

Sipas Kusari-Lilës, Qeveria nuk ka përplasje me SHBA-në për Asociacionin

Shefja e deputeteve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket Asociacionit, por tha se kanë mendime të ndryshme.

Gjatë konferencës për medie pas mbledhjes së Kryesisë, Kusari-Lila ka folur edhe për ftesën që u ka dërguar Ambasada e Amerikës në Kosovë. Ajo ka thënë në këtë takim janë ftuar përfaqësues nga dikastere të ndryshme qeveritare e shoqëria civile, sipas saj të cilët mund të kontribuojnë në çështjen e Asociacionit.

“Qeveria e Kosovës nuk ka përplasje me SHBA-në, mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin e dialogut dhe Asociacionin. Ambasada e SHBA-së ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta që mendojnë se mund të kontribuojnë për çështjen e Asociacionit dhe partive opozitare dhe shoqërisë civile”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, sa i përket diskursit të diskutimit Qeveri-Ambasadë e Amerikës, tha se koordinohen mes vete. porse i kanë qëndrimet e tyre.

“Mendoj që koordinohemi por e kem të drejtën tonë dhe mbetet primare trajtimi i të drejtave të komuniteteve, plani i Ahtisarit është nga palët më të avancuara në raport me të drejtat e komuniteteve, prandaj në kontekstin e asaj se si do të zbatohet ky plan ne do të diskutojmë, si shoqëri jemi të interesuar që të vazhdojmë diskutimin dhe e shohim të vetmen formë të avancimit të mëtutjeshëm dialogun dhe mendoj se edhe diskutimi i nesërm është në këtë frymë”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se askush tjetër përveç Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Komunave nuk mund të marrë vendime.

Exit mobile version