Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale me njohje reciproke.
Ish-kryeministri në një konferencë për media u shpreh se Kosova e pati mundësinë që ta merrte njohjen e Serbisë, por kjo sipas Haradinajt, nuk u bë pasi kryeministri Kurti nuk e pezulloi vendimin për targat.
“Serbia me satelitët e saj, skenarë e kanë dështimin e marrëveshjes, tashmë të njohur si plani franko-gjerman, që në përmbajtje ka njohjen e Kosovës nga Serbia. Në këtë skenar, për fat të keq, është kyçur dhe po e ndihmon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Disa herë në të kaluarën jam betuar me thënë të vërtetën në interes të interesave tona nacionale. Dhe tani do t’i paraqes disa fakte për këtë. Në tetor, në Prishtinë dhe Beograd ka ardhur propozim marrëveshja që në përmbajtje ka njohjen reciproke Kosovë-Serbi. Përgjigjja e Kosovës nuk është se ka qenë e qartë, por reagimi i Serbisë ishte mos pajtim me këtë marrëveshje. Në fillim të nëntorit, Qeveria e Kosovës ka vendos të zbatojë vendimin për targat në veri. Ndërsa, aleati ynë më besnik, më i sigurti, Amerika, duke ditur skenarin e Serbisë që ka për qëllim dështimin e marrëveshjes apo të dialogut me zhvillimet destabilizuese në veri, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës ta pezullojë këtë vendim deri në marrëveshje për ta mbajtur presionin në Beograd e Serbi për marrëveshjen që në përmbajtje ka njohjen”, tha Haradinaj.
Sipas tij, kryeministri Kurti ka vendosur të mos ecën në rrugën e ShBA-së, e sipas tij kjo rrugë është e paqartë.
“Albin Kurti me demagogët e vet në qeveri dhe jashtë saj ka vendosur të mos ecë rrugës që ia kërkon Amerika, por të shkojë një rruge që është e paqartë përmes vendimit për targa. Si rezultat i kësaj, Serbia, me aparatin e vet, e me duart e veta të zgjatura ka arritur sot të nxjerrë jashtë funksionit institucionet e Kosovës në veri. Dhe ka arritur ta lë Kosovën pa përfaqësim institucional në veri. Dhe ku jemi sot, si dhe çka kërkon bashkësia ndërkombëtare prej neve, me kërkesën për t’u nënshkruar marrëveshja që në përmbajtje ka njohjen, ndërsa sot i kërkohet Kosovës jo vetëm pezullimi i vendimit për targat, por edhe asociacioni. Qytetarë të Kosovës vlerësojeni vetë se i kujt është Albin Kurti dhe për cilin punon? E kam për detyrë me thënë të vërtetën çdo herë”, tha ai.
Haradinaj më tej tha se ikja prej Amerikës, është shkuarje në Moskë.