UBT News

Sipas Haradinajt, Kurti është bërë i dëmshëm e zullumqar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti është bërë i dëmshëm. Sipas Haradinajt, vendimet e Kurtit në të gjitha sferat, tashmë janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin.

“Kryeministri është bërë i dëmshëm e zullumqar! Pasojat e pozicionimit të papërgjegjshëm të kryeministrit të Kosovës në raport me pothuaj të gjitha temat që kanë të bëjnë me vendin, po vijnë! Vendimet e tij në sferën e ekonomisë, të sigurisë, të arsimit, të dialogut, të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, tashmë janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin. Në këtë rrafsh duhet parë edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE për përjashtimin e Kosovës nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë të Telekomunikacionit. Pasojë e pozicionimit të tij të gabueshëm është edhe rikthimi me urgjencë i temës së Asociacionit dhe avantazhi i Serbisë në procesin e dialogut”, ka shkruar mes tjerash ai në Facebook.

Ai tha se qasja e gabueshme e Kurtit ka bërë që Komuniteti Ndërkombëtar, më me simpati ta shohë Serbinë se Kosovën.

“Veç Albin Kurti ka arritur që xhelatin ta shndërrojë në viktimë. Ai me para të taksapaguesve shkon në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, gjoja për të folur për investimet e huaja në Kosovë, madje organizon edhe një Samit të Investitorëve në Cyrih, ndërsa paratë e buxhetit i ka mbyllur në bunker dhe ekonominë e ka llom. Kjo më e pakta është hipokrizi. Ai jo vetëm që parat e buxhetit nuk i kthen tek qytetari, por atyre iu ka pamundësuar që në këtë kohë të rëndë ekonomike e sociale, ta marrin një pjesë nga paratë e kursyera të Trustit, që janë të tyre”, ka shkruar i pari i AAK-së në Facebook, duke shtuar se kryeministri është shndërruar në zullumqar.

Exit mobile version