Singapori regjistroi rastin e parë të lisë së majmunëve. Rasti i parë u konfirmua te një stjuardes britanik, i cili hyri në Singapor javën e kaluar. Sipas autoriteteve, 42-vjeçari udhëtoi brenda dhe jashtë shtetit nga mesi i muajit qershor.
Ky është rasti i parë i regjistruar me linë e majmunëve në Azinë Juglindore që lidhet me një shpërthim global. Mbi 2 mijë e 100 raste janë regjistruar në 42 vende që nga muaji maj.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) mbi 80% e rasteve janë regjistruar në Evropë, por sëmundja është përhapur edhe në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe Australi. OBSh ka regjistruar një viktimë nga kjo sëmundje.
Sëmundja zakonisht shfaqet në pjesë të largëta të vendeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, por ka pasur një numër jashtëzakonisht të lartë të njerëzve të infektuar me linë e majmunëve jashtë Afrikës këtë vit, pa histori udhëtimi në rajon./UBTNews/