UBT News

Sindikata e sektorit privat paralajmëron protestë në dhjetor, kërkon pagë minimale prej 600 eurosh

Sindikalistët e sektorit privat në Kosovë kanë paralajmëruar organizimin e një proteste gjatë muajit dhjetor, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Vendimi është marrë në një takim të udhëhequr nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ku morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të punëtorëve të sektorit privat në Prishtinë.

Sipas njoftimit të sindikatës, protesta do të organizohet për të kërkuar plotësimin e tri kërkesave kryesore: rritjen e pagës minimale në 600 euro nga 1 janari 2027, ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat, si dhe pagesën e stazhit të punës.

Sindikalistët bëjnë të ditur se këto kërkesa i janë dorëzuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që nga prilli i vitit 2026.

“Punëtorët e sektorit privat meritojnë trajtim të barabartë, dinjitet dhe respekt për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Data e saktë e protestës pritet të bëhet e ditur në ditët në vijim./A.K/

Exit mobile version