UBT News

Sindikata e policisë nënshkruan marrëveshje me sindikatën e Lituanisë

Si rezultat i përkushtimit të përbashkët për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe profesionalizmit të punonjësve të policisë, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar ndërmjet Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK) dhe Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm historik për fortësimin e lidhjeve sindikale dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në nivel ndërkombëtar.

Marrëveshjen e nënshkruan Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, dhe Presidentja e Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, Anita Arzenshek, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë midis dy organizatave.

Ky bashkëpunim ka për qëllim: Forcimin e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave profesionale; Organizimin e aktiviteteve profesionale, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta për përfaqësuesit sindikalë dhe punonjësit e policisë; Zhvillimin e projekteve sociale, kulturore, sportive dhe edukative që kontribuojnë në mirëqenien e punonjësve dhe Forcimin e bashkëpunimit institucional dhe sindikal në nivel evropian.

Ky nënshkrim vendos Sindikatën e Policisë së Kosovës në një rol të fuqishëm në rrjetin evropian të sindikatave policore, duke u bërë partner strategjik për bashkëpunime të ardhshme ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës zyrtare në Pejë, përfaqësuesit e të dy sindikatave zhvilluan takime profesionale, vizituan institucione kulturore dhe diskutuan planet e aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, të cilat do të forcojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar midis Kosovës dhe Sllovenisë.

Në fund thuhet se kjo marrëveshje është dëshmi e qartë se bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë shtylla themelore të zhvillimit sindikal dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve të policisë./KP

Exit mobile version