UBT News

Sindikata e Policisë kërkon nga Qeveria realizimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën paralajmërojnë masa radikale

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga Qeveria në detyrë realizimin e të drejtave themelore të zyrtarëve policorë dhe stafit civil, të cilët po përballen me pandeminë COVID-19.

Në të kundërtën, paralajmërojnë masa më radikale në mënyrë që të realizohen kërkesat e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është në njohuri se zyrtarët policor ishin të infektuar me COVID-19, ku përveç vuajtjes nga sëmundja kishin edhe shpenzime të jashtëzakonshme. Policia e Kosovës deri më tani ka humbur 12  zyrtarët policorë nga COVID-19 dhe mbi 1.400 të infektuar,  edhe përkundër kësaj ata ishin në ballë të luftës në parandalimin e kësaj sëmundje që është dhe vazhdon të jetë breng për tëre botën. Angazhimi për parandalim të COVID-19 vazhdon edhe më tutje dhe sa vije e shtohen detyrat dhe punët e çdo zyrtari policor, ndërsa realizimi i të drejtës për zyrtarin policor  as nuk ishte prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe siç po duket vazhdon të mos jetë. Dhe mu për këtë ne si Sindikatë e Policisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datën 22.12.2020, kërkon me ngulm realizimin e të drejtave themelore të zyrtarëve të Policisë së Kosovë si dhe stafit civil në Policinë e Kosovës, të parapara me ligjet e vendit dhe të përshkruara në vendimet dhe zotimet e Qeverisë të premtuara në takimet e fundit”, thuhet mes tjerash në reagim.

Sindikata e Policisë së Kosovës i rikujton Qeverisë së vendit se pagesa e pakos emergjente, pagesa e ushqimit e bazuar në ligj dhe pagesa e orëve të punës varësisht kohës në punë, përfshirë vikendeve dhe në festa, si dhe pagesa e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjitetshme të jenë prioritet i ekzekutivit të vendit për këtë vit, për të gjithë zyrtarët policorë dhe stafit civil e jo të jenë kërkesa në pritje në realizim pasi që në asnjë mënyrë nuk do lejojmë të shtyhen këto kërkesa si gjithnjë.

“Mospagesa e tyre do ta shtyjnë Sindikatën e Policisë së Kosovës që edhe në ketë fund vit të shikojë mundësinë e marrjes së masave më radikale në mënyrë që të realizojë të drejtat e tyre. Andaj presim dhe jemi të bindur që kryeministri i vendit në detyrë dhe Ministri MPB-së në detyrë, t’i marrin prioritet këto kërkesa të pjesëtarëve të PK-së të cilat ju takojnë me të drejtë të plotë sipas ligjeve aktuale dhe të realizojnë”, thuhet në reagimin e Sindikatës./UBTNews

Exit mobile version