Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar me një letër Avokatit të Popullit për dërgimin e Ligjit të pagave në Gjykatën Kushtetuese.
Nga avokati Naim Qelaj është kërkuar që çojnë Kushtetuese këtë ligj, përkatësisht disa nene të cilat ndërlidhen me policët e Kosovës.
Në këtë letër të nënshkruar nga kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, është kërkuar nga Avokati i Popullit që të dërgohen në Kushtetuese neni 26 lidhur me rrezikshmërinë në punë, neni 35 dhe 36 për kompensimet për kujdestari punë gjatë natës si dhe shtojca për nëpunësit e shërbimit civil, nëpunësit të administratës së shërbimet publik.
“Për më shumë Ligji për Paga nuk saktëson se në çfarë përqindje shuma e dedikuar për shtesën e rrezikshmërisë do t’i ndahet Policisë së Kosovës, sepse shuma prej 1% është e paraparë për të gjitha institucionet e Kosovës. Kjo nuk garanton siguri juridike të trajtimit me ligj të një të drejte të të punësuarve ashtu siç është kompensimi për jetën dhe shëndetin. Siç shihet kjo shtesë do të jetë simbolike në raport me rrezikimin e jetës dhe shëndetit të zyrtarëve të PK-së si dhe do të ndikojë negativisht në të ardhurat neto për zyrtarët në disa kategori. Në kuadër të Policisë së Kosovës janë 8704 personel policorë dhe në kuadër të këtij numri 7792 janë zyrtarë të uniformuar. Nëse kjo shumë ndahet tek të gjithë zyrtarët e uniformuar në mënyrë të barabartë i bie se për pagën bazë të zyrtarit policor të lartë mund të jetë rreth 10 për qind e pagës në muaj. Kjo është një shumë e ulët dhe e padrejtë në raport me rrezikun për jetën dhe shëndetin”, thuhet në letrën e Sindikatës së Policisë dërguar tek Institucioni i Avokatit të Popullit.
Po ashtu edhe Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë kërkuar nga Avokati i Popullit që ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetues.