Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar që çdo punonjës i Policisë të përfshihet në pakon prej 100 euro.
Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli në një intervistë për Ekonomia Online njoftoi se policët që nuk kanë qenë në plan operativ, u është kërkuar që mos të përfshihen në këtë pako. Megjithatë, Tasholli shtoi se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria se a do të realizohen këto kërkesa.
“Ne paraprakisht në takimin me kryeministrin kemi kërkuar si sindikatë që të përfshihen të gjithë. Mirëpo nga ministria dhe menaxhmenti është marrë një vendim që vetëm ata që janë në planin operativ të paguhen, ku në atë kohë nuk është paguar as shëndetësia dhe ne jemi pajtuar me këtë. Por tani kur shëndetësia paguhet në tri shkallë çdo punonjës i shëndetësisë, kemi kërkuar që edhe policia e Kosovës të përfshihet në pakon 100 euro”, deklaroi ai.
Tasholli njoftoi se ende nuk kanë marrë përgjigje se a do të realizohen kërkesat e tyre.
“Nuk janë përfshirë të gjithë. Ka arsye të ndryshme se nuk kanë qenë në plan operativ apo disa që kanë qenë në pushime. Përgjigje ende nuk kemi se a do të mund të realizohen. Një shkresë e kryeministrit ka qenë që do të rishikohet, por se çfarë do të ndodhë nuk e dimë”, deklaroi ai më tej.
Tasholli njoftoi se deri më tani janë 400 policë të infektuar me Covid-19.
“Tashmë hymë në vitin 2021. Ne kemi kërkuar që të realizohet kjo kërkesë para vitit të ri, që të gjithë punonjësit e policisë të marrin pakon 100 euro mirëpo nuk ka ndodhur. Arsyetime gjejnë në stafin menaxhues sepse nuk mund të përfshihen të gjithë, si patrulla e ballafaquar drejtpërdrejtë me popullatën. Tani nuk mund të them se cilin hap do të marrim sepse hapa kemi marrë për Covid-19 dhe orët shtesë. Nga ky vit presim që të fillojë shujta ndërsa do të kërkojmë që edhe pakon prej 100 euro për punonjës të policisë. Deri më tani është afër 400 policë të infektuar”, deklaroi ai.