UBT News

Sindikata e Bashkuar e Arsimit në pritje të takimit me ministrin Vitia mbi përfshirjen e mësimdhënësve në vaksinim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është e gatshme për një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për t’u informuar mbi paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria, përveç punonjësve shëndetësorë, do të mund të vaksinojë edhe mësimdhënësit nga Kosova.

SBAShK i ishte drejtuar me një apel publik Qeverisë së kaluar të Kosovës që me rastin e fillimit të procesit të vaksinimit ta kenë prioritet sektorin e arsimit dhe se më 29 mars i është drejtuar me shkresë ministrit Vitia duke kërkuar që të mbajnë një takim ku do të diskutohej përfshirja e mësimdhënësve në listën prioritare për vaksinim.

“Këtë kërkesë nuk po e bëjmë që të jemi të privilegjuar, por sektori i arsimit është nga më të prekurit nga COVID-19, andaj vaksinimi me prioritet i punëtorëve të këtij sektori do të krijonte siguri dhe mundësi reale që viti shkollor të vazhdonte nëpër institucionet arsimore. SBASHK-u është në pritje të këtij takimi për të bashkëbiseduar për këtë çështje dhe për të marrë informacione nga dora e parë edhe lidhur me deklaratën, që mediat e Kosovës e kanë bërë publike, të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për gatishmërinë e shtetit shqiptar, që pasi ka bërë vaksinimin e një numri të konsiderueshëm të punëtorëve shëndetësorë të Kosovës, të ndihmojë edhe në vaksinimin e punëtorëve në sektorin e arsimit të shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.

SBAShK falënderon Qeverinë shqiptare për vullnetin e treguar dhe pret nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit të Kosovës të dalin me një plan konkret se si do të realizohet aktiviteti i vaksinimit të punëtorëve në arsim./UBTNews

Exit mobile version