UBT News

Simson: BE-ja do të ndihmojë sektorin energjetik të Ukrainës

Bashkimi Evropian është duke eksploruar mënyra për të rritur ndihmën për sektorin energjetik ukrainas të dëmtuar nga sulmet e javëve të tëra të Rusisë, tha sot komisionarja evropiane e Energjisë Kadri Simson gjatë një vizite në Kiev.

“Unë jam sot në Kiev për të ndihmuar në rritjen e mbështetjes për sektorin energjetik të Ukrainës. Kam parë shkallën e shkatërrimit në Ukrainë në vend dhe do të bëj çdo përpjekje për të rritur ndihmën financiare, teknike dhe praktike”, shkroi ajo në Twitter.

Simson i quajti sulmet ruse “një taktikë mizore dhe çnjerëzore për të shkaktuar vuajtje njerëzore me afrimin e dimrit”.

Ndihma shtesë, shtoi ajo, do të duhet të ofrohet nga institucionet e BE-së, shtetet anëtare, partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët privatë.

Komisionarja evropiane udhëtoi për në Kiev pas disa javësh sulmesh ruse të fokusuara në infrastrukturën civile të Ukrainës, veçanërisht termocentralet.

Ajo planifikon të takohet me autoritetet ukrainase dhe drejtuesit e kompanive të energjisë për të diskutuar se si mund të ndihmojnë BE-ja, partnerët ndërkombëtarë dhe sektori privat.

Simson do të diskutojë gjithashtu situatën në termocentralin bërthamor të Zaporozhzhia të kapur nga forcat ruse, sigurinë e furnizimit dhe rindërtimin e ardhshëm të sistemit energjetik të Ukrainës.

Exit mobile version