Në Gjakovë, sot në dy vend-lokacione u realizuar Ushtrimi Fushor “Shpata e Argjendtë 2021”, ku morën pjesë: Këshilli i Sigurisë së Kosovës, FSK, KFOR-i, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Komuna e Gjakovës dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.
Në Ditën e Vizitorëve të Shquar, morën pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Ferderici, zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, zv. Komandanti i KFOR-it, gjeneralbrigade Gunter Schopf, shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John P. Maier, drejtori i Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT), gjeneral brigade Jörg Rüter, zv.drejtori i AME-së, Shefki Abdullahu, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Ky ushtrim organizohet çdo vit, nën drejtimin e KFOR-it në bashkëveprim dhe koordinim me institucionet vendore të sigurisë të nivelit qendror, rajonal dhe lokal, përveç vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19.
Me këtë rast, gjeneral Schopf, në cilësi të drejtorit të ushtrimit, në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi se fokusi i këtij ushtrimi, sikur edhe viteve tjera, është në rritjen e shkallës së ndërveprimit dhe bashkërendimit në mes institucioneve dhe organizatave të sigurisë në vendin tonë. “Mësimet e nxjerra nga ky ushtrim duhet të shërbejnë për avancimin e përmbajtjes së Planit të rishikuar për Reagim Kombëtar”, theksoi mes tjerash gjeneral Schopf.
Sipas tij, këtë vit, përgjegjësinë kryesore të procesit planifikues e ka bartur FSK dhe gradualisht, do të realizohet edhe tranzicioni i rolit udhëheqës të këtij ushtrimi te partnerët vendor. Ai në fund falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e lartë për performancën e të gjithë pjesëmarrësve në të gjitha fazat e planifikimit dhe ekzekutimit të ushtrimit, duke veçuar rolin e veçantë të pjesëtarëve të FSK-së.
Nga ana e tij, gjeneral Cikaqi, në fjalën e tij, elaboroi procesin planifikues, njësitë e angazhuara dhe angazhimet specifike të njësive specialistike në vend-incidente gjatë ushtrimit duke shprehur mirënjohjen e thellë për bashkëveprimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm me KFOR-in dhe institucionet tjera të sigurisë në vend në realizimin e suksesshëm të këtij ushtrimi.
Në fund ai theksoi se FSK, në kuadër të misionit dhe detyrave të saj ligjore, angazhohet vazhdimisht në mirëmbajtjen dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të specializuara për përmbushjen me sukses të plotë të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile të vendit, në nivelin qendror, rajonal dhe lokal.