Alban Zogaj sot ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Prishtinës, pasi siguroi votat për t’u zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Zogaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, me ç’rast tha se detyrën e nënkryetarit e ka mbajtur “me nder, përkushtim dhe dashuri të thellë për qytetin tim”.
“Dorëheqja ime vjen si rezultat i zgjedhjes sime si deputet në Kuvendin e Kosovës – një përgjegjësi e madhe që e pranoj me përulësi e përkushtim të plotë. Besimi i qytetarëve është shtysa ime më e madhe për të vazhduar punën në një nivel tjetër, tash për të gjithë Kosovën”, shkroi Zogaj.
Zogaj, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit mori rreth 15 mijë vota për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkroi se dorëheqja e tij nuk është lamtumirë, por një kthesë e re në rrugën e shërbimit publik.