Mungesa e një parkingu në shkollën me shqiptarë dhe komunitet ashkali si dhe në atë me serbë në fshatin Plemetin të Obiliqit ka rrezikuar jetën e nxënësve.
Prandaj, komuna e Obiliqit, në bashkëpunim me kontratën sociale të USAID-it, kanë përuruar sot parkingun në kuadër të projektit “ Përmirësimi i kushteve të sigurisë në shkollat e Plemetinit”, për të garantuar kushte më të mira të sigurisë për nxënësit.
Nënkryetari i komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi ka thënë se si komunë janë të angazhuar të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat të cilat veprojnë në Kosovë, për një jetë më të mirë.
“Si komunë jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë me të gjitha organizatat të cilat aktivitetin e tyre e bëjnë në Republikën tonë, e sidomos me USAID-in me të cilin kemi nënshkruar dhe jemi në mesin e pesë komunave që kemi nënshkruar kontratën sociale”, ka thënë Mjekiqi.
Ndërsa, nënkryetari i komuniteteve në Obiliq, Sllavisha Jakovleviq ka shtuar se ky projekt është i rëndësishëm në kuptimin e sigurisë të dy objekteve të shkollave.
“Dëshirojmë që të dëshmojmë që bashkëjetesa është e mundshme. Së bashku me qytetarët kemi marrë pjesë në realizimin edhe të një projekti. Meqenëse nga aspekti financiar nuk është projekt i madh, megjithatë është i rëndësishëm në kuptimin e sigurisë të dy objekteve të shkollave”, ka shtuar ai.
Po ashtu, kryetari i këshillit të fshatit, Vahudin Ibrahimi shpreson që në të ardhmen t’i përkrahin me projekte të cilat i nevojiten dy shkollave.
“Ndoshta është një projekt i vogël por është për sigurinë e nxënësve tonë. Shpresojmë në të ardhmen që të na përkrahin me projekte të cilat i nevojitën këtyre dy shkollave paralele njëra serbe, njëra “Pandeli Sotiri”, është shprehur Ibrahimi.
Ky projekt i USAID ka kushtuar rreth 24 mijë euro.