LDK ka emëruar sot zëdhënëse politike anëtaren e Kryesisë, Sibel Halimi.
“Me qëllim të thellimit dhe avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit me mediet, në shërbim të transparencës dhe informimit të drejtë të publikut, si dhe prezantimit të qëndrimeve politike, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar znj. Sibel Halimi, Zëdhënëse Politike të LDK-së”.
Sibeli përveç se është anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, është edhe sociologe e poete. Ajo është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Deri tash ka të botuar tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017).
Merret aktivisht me trajtimin e problemeve socio-filozofike, ndërkohë që shkrimet e saj janë botuar në periodikun shqip e të huaj. Njihet si veprimtare e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e grave dhe vajzave.
“Lidhja Demokratike e Kosovës pret dhe fton për një bashkëpunim të nevojshëm me mediat dhe me publikun”, thuhet në njoftimin e LDK’së./UBTNEWS