UBT News

Si u krijua reklama më e shtrenjtë në historinë e televizionit?

Gati dy dekada më parë, bota e modës dhe ajo e filmit u takuan në një mënyrë që la gjurmë të përjetshme.

Në vitin 2004, Chanel publikoi “No. 5 The Film”, një reklamë ikonike për parfumin legjendar Chanel No. 5, me protagoniste aktoren fituese të çmimit Oscar, Nicole Kidman, nën regjinë e të jashtëzakonshmit Baz Luhrmann.

Sa kushtoi dhe si u realizua?

E njohur si reklama televizive më e shtrenjtë e të gjitha kohërave, prodhimi kushtoi 33 milionë dollarë, shifër që sot korrespondon me rreth 52 milionë dollarë.

Spoti zgjat vetëm 3 minuta, që do të thotë se çdo sekondë kushtoi mesatarisht midis 275,000 dhe 288,000 dollarë. Megjithatë, çdo qindarkë rezultoi e justifikuar.

Estetika e reklamës ishte kombinim i luksit karakteristik të Chanel e stilit romantik e teatror të “Moulin Rouge!”, një vizion i Luhrmann.

Nicole Kidman luan rolin e një ylli të famshëm të filmit, i cili përpiqet të largohet nga bota e dritave për të përjetuar një histori dashurie të ndaluar me një të panjohur, rol që interpretohet nga aktori brazilian Rodrigo Santoro.

Kidman u pagua midis 3 dhe 3.7 milionë dollarë për pjesëmarrjen, duke veshur një krijim magjepsës të modës së lartë, stiluar nga Karl Lagerfeld, atëherë drejtor artistik i Chanel dhe përgjegjës për drejtimin artistik të gjithë fushatës.

Kolona zanore e reklamës përdori një pjesë nga Claude Debussy, duke shtuar hijeshi dhe elegancë këtij produksioni kinematografik të jashtëzakonshëm. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version