Silvio Berlusconi, ish-kryeministri miliarder i Italisë, vdiq të hënën, duke lënë pas vetes një perandori biznesi. Se a do të ndahet pasuria mes fëmijëve të tij ende nuk dihet. Berlusconi kishte një pasuri neto prej 7.6 miliardë dollarë sipas Bloomberg.
Pra, si fitoi të ardhura kryeministri më jetëgjatë i Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore – si dhe një nga më të diskutueshmit?
Manjat i medias
Berlusconi, i cili ishte kryeministër i Italisë për katër mandate, hyri në politikë në moshën 57-vjeçare. Megjithatë para kësaj, ai grumbulloi një pasuri si zhvillues pronash në fund të viteve 1960, para se të bëhej i njohur si manjat i medias.
Në vitet 1970, ai i diversifikoi interesat e tij duke krijuar një kompani kabllore televizive, Telemilano, dhe duke blerë dy kanale të tjera kabllore në Itali.
Në vitin 1978, këto kanale u përfshinë në kompaninë e sapoformuar të familjes së tij, Fininvest. Pikërisht përmes Fininvest, Berlusconi fitoi aksione të mëdha në disa prej firmave të mëdha mediatike evropiane, si dhe AC Milan.
Reuters raportoi se në fund të vitit 2021, Berlusconi zotëronte 61.3% të aksioneve në kompani.
Fininvest është aksioneri më i madh i MediaForEurope, i njohur më parë si Mediaset (MDIUY) – me 48% të aksioneve. Transmetuesi, i cili ka një kapital tregu prej 1.6 miliard euro (1.7 miliard dollarë), operon me kanale televizive komerciale në Itali dhe Spanjë dhe zotëron aksione të mëdha në ProSiebenSat.1 (PBSFF) të Gjermanisë. Fininvest gjithashtu zotëron 53% të aksioneve në Mondadori, botuesi më i madh i librave dhe revistave në Itali.
Fininvest e shiti AC Milanin për 740 milionë euro (796 milionë dollarë) në vitin 2017 pas 31 vitesh pronësi.
Në një postim në Twitter të hënën, klubi tha se është “thellësisht i pikëlluar” nga vdekja e Berlusconit.
Vështirësitë ligjore
Problemet ligjore në të cilat ishte i përfshirë Berlusconi ishin të lidhura ngushtë me çështjet e tij biznesore.
Gjatë gati dy dekadave të tij në politikë, ai u akuzua për të paktën 17 raste, sikurse përvetësim, mashtrim fiskal dhe ryshfet, megjithëse ai gjithmonë i kishte mohuar akuzat dhe shumë nga ato raste u rrëzuan në apel.
Në vitin 2012, një gjykatë e Milanos dënoi ish-udhëheqësin e Italisë për evazion fiskal. Prokurorët zbuluan se Berlusconi, së bashku me drejtuesit e Mediaset, blenë të drejta televizive për filmat dhe më pas i shitën me çmime të fryra. Skema i lejoi të përfshirët të shmangnin një faturë të madhe tatimore, thanë prokurorët.
Çfarë tjetër?
Berlusconi ka pesë fëmijë nga dy martesa. Të gjithë kanë aksione të rëndësishme në Fininvest, por Marina, fëmija më i madh, e ka drejtuar kompaninë që nga viti 2005, dhe ka më shumë gjasa për të marrë kontrollin e perandorisë së biznesit të babait të saj.
Marina dhe Pier Silvio kanë secili 7.7% të aksioneve në Fininvest, ndërsa tre fëmijët e Berlusconit nga martesa e tij e dytë kanë së bashku 21.4% të aksioneve./UBTNews/