Një ndër kërcënimet më serioze të shëndetit është pa dyshim presioni i lartë i gjakut. Kjo gjendje mund t’i sjellë trupit një sërë sëmundjesh dhe efektesh anësore shumë shqetësuese.
Zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetin e tyre dhe ngurtësohen apo kur enët e gjakut ngushtohen.
Duke qënë se ky problem shfaqet veçanërisht nga stili i jetesës, ndryshimet e para sigurisht që do të fillojnë nga aty.
Sipas këshillave të ISHP të cilit i referohet AgroWeb.org, vetëm me gjashtë hapa të thjeshtë mund të arrini ta shmangni dhe përmirësoni këtë problem.
Kontrolloni peshën
Mbajtja e peshës së duhur është gjithnjë thelbësore për parandalimin e hipertensionit.
Ekspertët thonë se 50% – 90% e presionit të lartë të gjakut mund të evitohet me një stil të shëndetshëm jetese.
Mbipesha rrit ndjeshëm presionin e lartë të gjakut ndaj nëse jeni obezë duhet të dobësoheni të paktën 10% të masës tuaj trupore.
Sa më shumë të dobësoheni aq më shumë do të bjerë presioni i lartë i gjakut duke evituar një sërë sëmundjesh të tjera.
Konsumoni më pak kripë
Reduktimi i sasisë së kripës që konsumoni çdo ditë është një tjetër element kyç në trajtimin e sëmundjes. Kjo pasi konsumimi i tepërt i kripës rrit presionin e gjakut.
Ekspertët rekomandojnë produktet që kanë më pak se 0.25gr kripë për 100 gr.
Evitoni alkoolin
Përveçse dëmton mëlçinë dhe zemrën, konsumimi i sasive të mëdha të alkolit mund të çojë edhe në shfaqjen e hipertensionit.
Sipas ekspertëve personat që konsumojnë një gotë alkol në ditë, kanë 53% më shumë mundësi të preken nga hipertensioni.
Mundohuni ta evitoni atë sa më shumë të jetë e mundur, pasi është një rrezik për shëndetin e të gjithë organizmit.
Konsumoni më shumë fruta dhe perime
Nëse konsumoni 5 ose më shumë fruta dhe perime në ditë do të jeni larg zonës së rrezikut.
Frutat dhe perimet janë ndër ndihmësit më të mirë për të ulur presionin e lartë të gjakut.
Gjithnjë kini parasysh t’i zgjidhni ato të freskëta dhe të stinës.
Jini aktivë
Aktiviteti fizik është zgjidhja për shumë sëmundje, ashtu edhe për presionin e lartë të gjakut.
Mjekët rekomandojnë kryerjen e aktivitetit fizik çdo ditë, me të paktën 30 minuta ose 5 herë në javë. Kjo mënyrë do të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut në trupin tuaj, gjithashtu do të ulë edhe peshën e tepërt.
Këshillohuni me mjekun
Kontrollet periodike me mjekun janë thelbësore për të përballuar çdo sëmundje. Nëse merrni ilaçe apo kura të forta kundër hipertensionit, mos i ndërprisni ato asnjëherë pa u këshilluar me një specialist.
Ndiqni pesë hapat e mësipërm në mënyrë që të reduktoni në mënyrë graduale presionin e gjakut tuaj dhe të evitoni ilaçet./AgroWeb.org