Në raftet e supermarketeve apo farmacive do të gjeni një sërë locionesh kundër mushkonjave dhe insekteve të tjera, por shumë prej tyre përmbajnë substanca të dëmshme, që me siguri nuk dëshironi të qarkullojnë në organizmin tuaj.
Mushkonjat tërhiqen nga disa substanca në djersën tonë, por edhe nga frymëmarrja dhe lëkura. Mushkonjat kanë sensorë që vënë njerëzit në shënjestër që nga larg.
Bllokimi i aromave që tërheqin mushkonjat bëhet nëpërmjet solucioneve, që zakonisht përmbajnë një substancë të njohur si diethyltoluamide.
Nuk është aspak sekret që kjo substancë është toksike edhe në rastet kur nuk kemi asnjë reagim ndaj saj.
Kjo substancë përthithet lehtë nga organizmi, akumulohet në inde nga ku mund të shkaktojë dëme afatgjatë.
Solucionet e bëra në shtëpi janë padyshim zgjidhja më e mirë. Recetat dhe përbërësit janë të thjeshta dhe mbi të gjitha pa kimikatë.
Metodat Më Të Mira Natyrale Kundër Mushkonjave
Uthull Molle
Është një ndër solucionet më efikase që mban larg padyshim mushkonjat.
Mjafton të lyeni një pambuk me uthull molle dhe të lyeni zonat e zbuluara të trupit me të para se të flini apo kur qendroni në ambjente ku mushkonjat hyjnë lehtësisht.
Ekstrakti i Vaniljes
Aroma e vaniljes trullos dhe parandalon afrimin e tyre.
Mjafton të përzjeni një lugë çaji vanilje me çfarëdolloj kremi të thjeshtë pa aromë dhe lyeni të gjitha zonat e zbuluara të trupit tuaj.
Farat e karafilit
Merrni pesë gramë fara karafili dhe zjejini me një gotë ujë. Mjaftojnë 10 pika nga ky lëng që ta aplikoni në të gjitha zonat e zbuluara të trupit.
Kamomili
Një prej bimëve mjekësore më të lashta ka efekt paralizues ndaj qelizave nervore të insekteve.
Ndaj ju mund ta thani dhe ta shpërndani nëpër shtëpi.
Mund të vendosni pak kamomil të tharë në parvazin e dritareve ose mund ta përgatisni në formën e çajit dhe të lyeni trupin me të.
Në këtë mënyrë edhe lëkura e trupit do të bëhet e butë dhe e lëmuar.
Borziloku i freskët ose gjethet e domates
Mushkonjat nuk e tolerojnë dot erën që lëshojnë këto bimë, ndaj mos nguroni t’i përdorni.
AgroWeb.org ju udhëzon të zieni në një filxhan çaji 10 apo 15 gjethe borziloku të freskët apo disa gjethe domatesh dhe kur të ftohet lyeni trupin me to para se të flini.
Vaji esencial i borzilokut, eukaliptit ose farave të karafilit
Vajrat esenciale janë më të mirët kundër mushkonjave.
Nëse keni në shtëpi vaj esencial borziloku, eukalipti apo karafili, shtoni pesë deri në dhjetë pika të vajit esencial në një gotë me ujë dhe lyeni zonat e pambuluara nga rrobat.
Me të mund të lyeni edhe një copë pambuku dhe ta vendosni në dritare që të mbani mushkonjat larg./AgroWeb.org