UBT News

Si të dalloni një vend pune toksik që në intervistën e parë?

Një studim i fundit nga Instituti Amerikan i Forcës së Punës ka zbuluar se mbi gjysma e punonjësve besojnë se menaxherët e tyre kanë ndikim më të madh në shëndetin mendor sesa terapistët.

Shumë pjesëmarrës kanë pohuar se ndikimi i shefave në jetë personale dhe mirëqenien emocionale është i krahasueshëm me atë të bashkëshortëve apo partnerëve të tyre.

Nga tensionet e vogla deri te mungesa e besimit, marrëdhënia me shefin shpesh i ngjan një marrëdhënieje në çift — dhe mund të jetë po aq e lodhshme emocionalisht. Por, si mund të shmangim hyrjen në një vend pune toksik që në fillim?

Përdorues të Reddit-it, të cilët kanë përjetuar përvoja të vështira me “shefa toksikë”, ndajnë disa shenja paralajmëruese që dallohen që gjatë intervistës së parë dhe që zbulojnë mjedisin e vërtetë të punës përpara se të firmosni kontratën.

1. “Ne jemi si familje këtu”

Kjo është një nga frazat më të zakonshme që sipas njerëzve, duhet të ndizë dritën e kuqe. Në pamje të parë tingëllon ngrohtë, por fsheh pritshmëri për orë të gjata pune, mungesë kufijsh mes jetës personale dhe asaj profesionale, dhe presion të vazhdueshëm për “të dhënë gjithçka për ekipin”.

Nëse e dëgjoni këtë gjatë intervistës, bëni kujdes. Në shumë raste, “si familje” do të thotë “nuk ka kufij”.

2. Qasja ndaj pushimeve dhe kohës së lirë

Një tjetër shenjë e kulturës toksike është mungesa e respektit për pushimet. Nëse punonjësit nuk marrin pushim, dhe as menaxherët nuk e bëjnë, është një tregues i qartë i mbingarkesës.

Gjatë intervistës, vini re si flitet për ditët e pushimit: A përgjigjen me qartësi për rregullat e politikat? Apo shmangin pyetjet dhe japin përgjigje të mjegullta?

Nëse menaxheri mburret me orët e gjata të punës, apo thotë se “këtu ndihmojmë njëri-tjetrin si familje”, kjo është shpesh një shenjë që kultura e punës nuk respekton balancën jetës-punë.

3. Pyetje të drejtpërdrejta për sfidat dhe problemet

Mos kini frikë të bëni pyetje të sinqerta, si: “Cila është pjesa më e vështirë e kësaj pune?” “Në çfarë aspektesh po përpiqet kompania të përmirësohet?”

“Pse u largua personi që kishte këtë rol më parë?” “A jeni ju vetë të kënaqur me rolin tuaj?”

Nëse intervistuesi përgjigjet me qetësi dhe transparencë, është shenjë e një ambienti të shëndetshëm. Por, nëse shmang përgjigjet ose duket i tensionuar, ka gjasa që po fsheh probleme të brendshme.

4. Mungesa e përgjigjeve të qarta

Nëse pyetjet tuaja për detyrat, orarin, mundësitë e rritjes apo pagën marrin përgjigje të paqarta dhe të paqëndrueshme, është koha të bëheni të kujdesshëm.

Një kompani që e di çfarë kërkon dhe si e trajton stafin e saj, do të jetë gjithmonë transparente. Kur çdo gjë mbetet “në diskutim”, do të thotë se rregullat ndryshojnë sipas interesit të momentit.

Besoni instinktit tuaj. Nëse gjatë intervistës ndjeni se diçka “nuk shkon”, qoftë nga mënyra e komunikimit, qasja e menaxherit apo energjia e përgjithshme — mos e injoroni. Shpesh, ndjesia e parë është sinjali më i saktë se ai vend pune mund të mos jetë i duhuri për ju. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version