Kur fillon moti i ftohtë, mbajtja e shtëpisë ngrohtë bëhet prioritet. Edhe ndryshimet më të vogla mund të bëjnë diferencë, prandaj ia vlen të sigurohesh që sistemi yt i ngrohjes funksionon si duhet – duke filluar nga radiatorët.
Sipas inxhinierit të kompanisë Boxt, Will Scholfield, nëse radiatorët nuk ngrohin siç duhet ose punojnë me pengesa, duhet t’i çliron nga ajri i bllokuar (një proces i njohur si “bleeding”). Ky proces do të thotë të lejosh që ajri i mbetur brenda radiatorëve të dalë jashtë.
Nëse ajri ngelet brenda, ngrohja nuk shpërndahet si duhet e radiatorët bëhen më pak efikasë. Nëse kjo nuk bëhet për kohë të gjatë, ajri i bllokuar shkakton edhe gërryerje në sistemin e ngrohjes. Kjo është detyrë e thjeshtë që duhet bërë rregullisht, që shtëpia të jetë e ngrohtë e sistemi të funksionojë optimalisht.
Scholfield këshillon: “Nëse çliron radiatorët nga ajri rreth dy herë në vit, sistemi i ngrohjes do të punojë më me efikasitet dhe do të ndihmosh edhe në uljen e faturave të energjisë.”
Çfarë të duhet për të çliruar radiatorët nga ajri?
Një çelës për radiator ose një kaçavidë, në varësi të llojit të valvulës.
Një leckë ose enë e vogël për të mbledhur ujin që mund të rrjedhë.
Si ta bësh?
Fike ngrohjen dhe lëre sistemin të ftohet plotësisht. Vendos një peshqir ose leckë poshtë radiatorit për të mbrojtur dyshemenë.
Gjej valvulën e ajrit, ndodhet në krye të radiatorit, në njërën anë; është e rrumbullakët e ka vrimë për çelësin ose një prerje për kaçavidë.
Fut çelësin në valvul dhe ktheje ngadalë në drejtim të kundërt të akrepave të orës derisa të dalë ajri. Kur fillon të dalë uji, ktheje përsëri në drejtim të akrepave të orës për ta mbyllur valvulën. Përsërite këtë proces për të gjithë radiatorët në shtëpi.
Në fund, kontrollo presionin e ujit në bojlerin e ngrohjes, ai duhet të jetë midis 1 dhe 2 bar. Nëse nuk është, rregulloje sipas nevojës. /A.Z/UBT News/
