Ditët e shkurtra dhe të errëta të dimrit shpesh sjellin humor të ulët dhe lodhje për miliona njerëz që vuajnë nga depresioni sezonal (SAD) – një formë depresioni që shfaqet zakonisht në vjeshtë dhe dimër.
Simptomat përfshijnë energji të dobët, gjumë të tepërt dhe dëshirë për ushqime të ëmbla e karbohidrate.
Sipas The Washington Post, rreth 5% e amerikanëve preken nga SAD, ndërsa gratë janë katër herë më të prirura.
Psikiatri Norman Rosenthal nga Georgetown University, i cili e identifikoi për herë të parë këtë gjendje në vitin 1984, tregon se ajo lidhet me mungesën e dritës natyrore, e cila ndikon në ritmet biologjike dhe neurotransmetuesit që rregullojnë humorin.
Trajtimi kryesor është terapia me dritë të fortë – përdorimi i kutive speciale që prodhojnë rreth 10,000 njësi drite, krahasuar me më pak se 1,000 që japin dritat e zakonshme.
Studimet tregojnë se kjo metodë ndihmon rreth 64% të pacientëve.
Rosenthal përdor drita shtesë në shtëpi, mediton dhe bën shëtitje të rregullta jashtë për të përfituar nga drita natyrale.
Ai thekson rëndësinë e vëzhgimit të ndryshimeve të humorit në këtë periudhë dhe kujdesin ndaj trupit e mendjes për të përballuar më lehtë dimrin. /A.Z/UBT News/
