Nuk janë vetëm muajt me diell që ndikojnë në tharjen e lëkurës – vjeshta dhe dimri janë periudhat që e vënë më shumë në provë atë.
Ndryshimet e shpeshta midis ajrit të ngrohtë dhe të thatë brenda shtëpisë dhe erërave të ftohta jashtë, bëjnë që lëkura të humbasë lagështinë, të bëhet e ndjeshme dhe të fillojë të zhvishet.
Në këtë periudhë, është e rëndësishme të përshtatni rutinën tuaj të kujdesit për lëkurën për të ruajtur butësinë dhe shëndetin e saj.
Ja disa këshilla kryesore për ta mbajtur lëkurën të hidratuar dhe të mbrojtur gjatë stinës së ftohtë:
1. Zgjidhni një krem më të pasur
Në vend të locioneve të lehta që përdorni në verë, zgjidhni një krem hidratues që përmban lipide, ceramide, gjalpë shea ose vajra natyralë. Këto përbërës ndihmojnë në forcimin e barrierës mbrojtëse të lëkurës dhe parandalojnë humbjen e lagështisë.
2. Fokusohuni në hidratim të thellë
Përbërës si acidi hialuronik dhe skualani ofrojnë hidratim intensiv dhe ndihmojnë në parandalimin e kruajtjes apo ndjesisë së tendosjes së lëkurës.
3. Pastroni me kujdes
Përdorni pastrues të butë, në formë vajrash ose balsamesh, që pastrojnë pa e irrituar lëkurën. Shmangni larjet me ujë shumë të nxehtë dhe skrabet e ashpra, pasi mund të dëmtojnë shtresën mbrojtëse të epidermës.
4. Mos harroni ujin
Hidratimi nuk vjen vetëm nga kremrat – pirja e mjaftueshme e ujit është thelbësore për një lëkurë të shëndetshme dhe të ushqyer nga brenda.
5. Mbrohuni nga rrezet e diellit
Edhe pse dielli është më i butë në vjeshtë dhe dimër, rrezet UV mbeten të dëmshme. Përdorni çdo ditë një krem me mbrojtje SPF, veçanërisht nëse qëndroni gjatë në ambiente të hapura.
6. Kujdes me ajrin e thatë brenda shtëpisë
Nëse përdorni ngrohje gjatë dimrit, vendosni një lagështues ajri për të shmangur tharjen e tepërt të lëkurës. Kujdesuni që ta pastroni rregullisht për të parandaluar grumbullimin e mikrobeve.
Sipas ekspertëve të kujdesit për lëkurën, vjeshta është koha më e mirë për trajtime rigjeneruese, pasi lëkura ka nevojë për rikuperim pas ekspozimit ndaj diellit veror dhe përgatitje për temperaturat e ulëta të dimrit. /A.Z/UBT News/
