UBT News

Si pritet të ndikojnë te duhanpirësit imazhet që do të stampohen në pakot e duhanit?

Pas disa muajsh, pakot e duhanit pritet të kenë pamje të tjera. Në paketim do t’iu shtohen imazhe që do të shërbejnë si vërejtje për pasojat që sjell konsumimi i cigareve.

Andaj që nga ky muaj pritet që të ndalohet importi apo prodhimi i pakove pa këto fotografi dekurajuese, kurse në tetor të këtij viti në stoqe të ketë vetëm pako me imazhe vetëdijësuese.

Udhëzimi administrativ për vërejtjet e kombinuara ka hyrë në fuqi në shtator të vitit të kaluar. Por sa do të mund të ndikojnë paketimet e reja që të rinjtë të mos e nisin duhanin? Këtë e shpjegon specialistja e psikologjisë klinke dhe psikioterapisë, Fatime Fazliu.

“Tek pjesa e adoleshentëve, këto pamje dhe mbishkrime mund të kenë efekte pozitive për lënien e duhanit dhe mosfillimin e duhanit”, deklaroi ajo.

Megjithatë përqindja e impaktit te duhanpirësit nuk është e madhe.

“Studimet kanë treguar se 70% e personave nuk kanë ndonjë impakt të madh, 30% edhe mund të kenë ndonjë impakt, por jo edhe shumë. Duhanpirësit kronik kanë mekanizma mbrojtës psikologjik të cilët gjithmonë mundohen të arsyetojnë faktin se pse duhani nuk është i dëmshëm sepse nga përvojat klinike ata thonë edhe dikush që nuk e ka pirë duhanin është sëmur me kancer ose nëse e pinë duhanin në një ambient me fëmijë thonë se edhe ju jeni rritë në këso ambienti”, deklaroi ajo.

Sipas Fazliut, ngritja e çmimit të cigareve është mënyra më efektive në zvogëlimin e pirjes së duhanit.

“Unë mendoj që po, por studimet kanë treguar se ka shumë rëndësi edhe mbishkrimi. Kjo është një kampanjë vetëdijësuese, por mendoj se më e rëndësishme është masa strike që duhen të merren për parandalim ose zvogëlimin e duhanit. Dhe sot vendet evropiane kampanjën e bëjmë me ngritjen e çmimit të duhanit. Për vetë faktin se është treguar më efektive”, deklaroi Fazliu.

Kanceri, kryesisht i mushkërive, problemet e frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare janë sëmundjet kryesore që lidhen me pirjen e duhanit./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Exit mobile version