UBT News

Si po pritet vendimi për heqjen e vizave për komunitetin serb që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia për territorin e Kosovës?

Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi këtë të martë raportin mbi liberalizimin e vizave për komunitetin serb, që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia për territorin e Kosovës. Raporti që u përpilua nga eurodeputeti Matjazh Nemec, pritet të votohet në fund të prillit nga i tërë Parlamenti Evropian.

Në një prononcim për UBTNews, ish-diplomati Blerim Canaj fajin ia lë politikës jo aktive kosovare.

“Mendoj se po të ishte diplomacia dhe politika aktive natyrisht që do të duhej të ngritej si problem dhe nuk do të vinte deri tek kjo se ku ka ardhur, përshkak se mendoj se botës nganjëherë disa çështje të cilat janë të rëndësishme për neve do duhej të sqarohen, por gjithmonë do duhej të dihet se si të sqarohet dhe të jepet arsyeja pse duhet të ndodhë kjo”, deklaroi Canaj.

Megjithatë ai vlerëson së një vendim i tillë prek qëndrimet evropiane.

“Ky nocion është nocion që prek në sentiment sidomos në Bashkësinë Evropiane dhe madje në gjithë botën e civilizuar, kjo është edhe arsyeja mendoj unë që pse ka arritur deri këtu, përshkak se ne kemi ditur deri tani, politika jonë nuk ka qenë në gjendje të argumentoj qe ne nuk jemi shkelës të të drejtave të njeriut, por ne përpiqemi të ruhen të drejtat e njeriut dhe të pakicave”, tha ai.

Por cilën pasaportë do të vendosin serbët që ta marrin?

“Serbët a do të kenë pasaporta serbe apo pasaportë kosovare do të thotë tani më do të thirren në të drejtën e tyre mendoj, dhe kjo është ajo ku e shoh se ne e kemi humbur hapin madje goxha dhe arsye që të diskutojmë përshkak se jemi vonë”, deklaroi ai.

Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave. Kosova që nga 1 janari i këtij viti gëzoi lirinë e lëvizjes së lirë në shtetet evropiane./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Exit mobile version