Si psikologe fëmijësh, Oksana Sliepova punonte me familjet e prekura nga katastrofa bërthamore e Çernobilit në Ukrainë.
Gjatë tetë vjetëve të fundit, ajo ka trajtuar fëmijët që janë prekur nga një fatkeqësi që e goditi vendin – fillimisht agresioni i Rusisë në Lindje në vitin 2014 dhe këtë vit pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës.
Disa nga pacientët e saj kanë humbur prindërit, ose kanë nëna ose baballarë që luftojnë në vijën e parë. Të tjerë kanë dëgjuar breshëri artilerie kundër qyteteve të tyre, ose u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Tani pothuajse çdo shtëpi, çdo familje është prekur nga lufta, ose të afërmit e tyre po luftojnë, ose kanë vuajtur në njëfarë mënyre”, tha zonja Sliepova në qendrën për rehabilitimin socio-psikologjik në Boyarka, një qytet që ndodhet në jug të Kievit.
“Një nënë që po e dërgon djalin e saj në front për të tretën herë vjen te ne. Njëri nga djemtë e saj është 18 vjeç dhe ka marrë djegie të rënda kimike gjatë një beteje. Në mesin e miqve të mi, të gjithë janë disi të prekur drejtpërdrejt nga lufta”, deklaroi ajo tutje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se një në pesë njerëz që kanë përjetuar luftë ose konflikte të tjera gjatë dekadës së kaluar do të përballen me depresion, ankth, çrregullim stresi post-traumatik, çrregullim bipolar ose skizofreni.
Nëse ky rregull zbatohet edhe në Ukrainë, atëherë organi i Kombeve të Bashkuara vlerëson se gati 10 milionë njerëz mund të jenë të rrezikuar nga shfaqja e ndonjë sëmundjeje që lidhet me shëndetin mendor për shkak të luftës. Shumica prej tyre do të jenë fëmijë, të cilët për shkak të luftës s’do të kenë mundësi të shkojnë në shkollë dhe kësisoj do të ndihen të izoluar nga miqtë.
Të plagosur nga lufta
Në fazat e hershme të pushtimit, forcat ruse iu afruan Boyarkës ndërsa shkelën kryeqytetin ukrainas. Sliepova iku me anëtarët e familjes për në Bullgari, ku ajo ishte dëshmitare e traumave që kanë përjetuar fëmijët refugjatë.
“Kur fëmijët dëgjuan aeroplanë dhe fishekzjarre, ata u shtrinë në dysheme dhe kërkuan një vend ku të fshiheshin, sepse kishin frikë se vendi po bombardohej”, kujton ajo.
Pas dorëzimit të rusëve nga Kievi, ajo u kthye në Boyarka ku po mban seanca me familjet dhe fëmijët dhe duke drejtuar klubin e saj të të rinjve Pozitiv.
Pasojat psikologjike të asaj që po ndodh mund të marrin vite për t’u qartësuar dhe shumë më tepër për t’u zgjidhur, tha Tetyana Pidkova, një psikologe klinike në spitalin e fëmijëve Okhmatdyt në Kiev.
Ajo tha: “Në përgjithësi, tani të gjithë ne ukrainasit jemi të traumatizuar, sepse lufta është një traumë jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit dhe për të gjithë ukrainasit”.
Olena Zelenska, zonja e parë e Ukrainës, ka theksuar dëmin mendor të luftës, duke i thënë Asamblesë Botërore të Shëndetësisë në fillim të këtij viti se pasojat do të mbesin për dekada./UBTNews/