Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se prania ushtarake e Rusisë në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore është një garanci kundër atij që ai e quajti “skenar i Çernobilit”, duke iu referuar katastrofës bërthamore të vitit 1986.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ivan Nechaev, tha të enjten se një propozim i OKB-së për të çmilitarizuar zonën përreth centralit bërthamor ishte “i papranueshëm”.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, u pushtua nga Rusia në mars. Ai mbetet pranë vijës së parë të frontit dhe është vënë vazhdimisht nën sulm gjatë javëve të fundit, duke rritur frikën për një fatkeqësi bërthamore.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e objektit./UBTNews/