Qindra nxënëse në disa qytete të Iranit janë helmuar në mënyrë misterioze gjatë tre muajve të fundit, duke shkaktuar zëmërim dhe konfuzion në të gjithë vendin.
Gjithçka filloi gjatë muajit nëntor në qytetin e shenjtë të Kumit, në veri të Teheranit, kur rreth 50 studente u sëmurën dhe u transportuan në spital. Disa prej tyre u liruan pas pak ditësh, por disa prej tyre mbetën në spital për t’u trajtuar edhe për disa ditë të tjera.
Helmime të ngjashme ndodhën edhe në disa shkolla të tjera në Kum, Teheran, në qytetin e Borujerdit në provincën perëndimore të Lorestanit dhe në qytetin veriperëndimor të Ardebit. Dhjetëra nxënëse janë infektuar dhe u desh të shtrihen në spital. Sipas një ligjvënësi, disa vajza nga 15 qytete janë infektuar, por nuk i përmendi me emra. Nuk ka shifra të sakta mbi atë se sa nxënëse janë sëmurë, por mendohet të jenë qindra, sepse incidentet kanë ndodhur prej muajsh dhe madje kanë goditur disa nga të njëjtat shkolla më shumë se një herë.
Para se të sëmureshin, studentet raportuan se kanë nuhatur një erë të çuditshme sikurse mandarina të kalbura ose erë parfumi. Disa media lokale cituan studentet të kenë thënë se kanë parë objekte të çuditshme që u hodhën nga shkollat para se të ndodhte helmimi.
Paralizë e përkohshme
Simptomat ishin sikurse dhimbje koke, të përziera, madje ka nga disa studente që përjetuan paralizë të përkohshme të gjymtyrëve.
Këtë javë u raportua në mediat e huaja se një nxënëse në Qom ka vdekur si pasojë e helmimit. Televizioni shtetëror intervistoi babain dhe mjekun e vajzës, të cilët thanë se ajo ka vdekur si pasojë e një infeksioni akut dhe nuk ishte helmuar.
Është raportuar se janë prekur edhe disa mësuese. Incidentet nisën të ndodhin pothuajse në të njëjtën kohë kur disa universitete në qytete të ndryshme shërbenin ushqime që shkaktuan helmim nga ushqimi, por incidentet nuk ishin të lidhura pasiqë asnjë nga të helmuarit nuk ishte sëmurë si pasojë e ushqimit.
Për muaj të tërë, autoritetet në shkolla, zyrat e guvernatorëve dhe ministria e shëndetësisë i kanë mohuar ose minimizuar incidentet, duke thënë se nxënëset bënë panik ose përjetuan vetëm simptoma të lehta.
Nisën hetimet
Alireza Monadi Sefidan, i cili drejton komisionin e arsimit të parlamentit, tha në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrat e shëndetësisë dhe arsimit dhe përfaqësuesit e ministrisë së inteligjencës të martën se gazi i azotit u zbulua në helmin e përdorur në disa prej shkollave.
Është formuar një komitet për të hetuar dhe presidenti Ebrahim Raisi të mërkurën urdhëroi ministrinë e brendshme të ndjekë rastet e helmimit. Një ditë më parë, shefi i policisë iraniane, Ahmad Reza Radan, tha se nuk ka të arrestuar.
Disa zyrtarë kanë sugjeruar se “armiqtë” e huaj të Republikës Islamike mund t’i kenë kryer sulmet për ta njollosur atë.
Figura të huaja që kundërshtojnë pushtetin thonë se shteti është përgjegjës për sulmet, duke e akuzuar atë se po përpiqet të hakmerret ndaj nxënëseve që kanë shpërndarë imazhe dhe video të protestave disamujore që shpërthyen në të gjithë Iranin gjatë muajit shtator, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje.
Disa kanë tërhequr paralele me sulmet e talibanëve në vitet 2000 dhe 2010 që i helmuan nxënëset për t’ua ndaluar shkollimin.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit i bëri thirrje të mërkurën Iranit që të hetojë rastet e helmimit në shkolla. Incidentet e përsëritura kanë shtyrë disa prindër që t’i largojnë fëmijët e tyre nga shkollat./UBTNews/