Mënyra si rritemi ka ndikim në formimin e personalitetit, stilin e komunikimit dhe mënyrën si i qasemi autoritetit.
Fëmijët e rritur në mjedise të rrepta mësohen të respektojnë rregullat dhe disiplinën, por shpesh bartin me vete modele emocionale që vazhdojnë edhe në jetën e të rriturve.
Edhe pse një edukim i tillë buron nga qëllime të mira, si sigurimi i rendit dhe përgjegjësisë pasojat e tij reflektohen më vonë në mënyrën se si një person shprehet, vendos kufij dhe përjeton afërsinë emocionale.
Sipas këshilltarëve familjarë dhe terapistëve të marrëdhënieve, disa tipare dallohen tek ata që janë rritur në ambiente tepër të rregullta dhe autoritare.
1. Kufizim emocional
Personat që janë rritur në një familje të rreptë ndihen të detyruar të jenë “nën kontroll”. Ata e kanë të vështirë të shprehin ndjenjat, sepse në fëmijëri u është mësuar se emocionet janë shenjë dobësie. Në pamje të parë duken të qetë e të qëndrueshëm, por fshihet frika nga gabimet apo nga mospranimi nga të tjerët.
2. Frika nga dështimi
Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se fëmijët që ndëshkohen apo kritikohen shpesh për gabime, më vonë zhvillojnë frikë nga dështimi. Si të rritur, ata vendosin standarde të larta për veten dhe e kanë të vështirë të pranojnë dobësitë e tyre. Kjo frikë mund t’i pengojë të marrin iniciativa të reja, nga droja se mund të përjetojnë sërish ndjesinë e turpit ose zhgënjimit.
3. Vështirësi në shprehjen e emocioneve
Në një mjedis të rreptë, fëmijët mësohen të shtypin emocionet për të shmangur ndëshkimin ose konfliktin. Kjo ndikon në moshë madhore, duke e bërë të vështirë shprehjen e ndjenjave në mënyrë të sinqertë. Shumë individë ndihen emocionalisht të izoluar e përballen me sfida në krijimin e marrëdhënieve të ngushta.
4. Vetëbesim i ulët
Rregullat e tepërta dhe kërkesa e vazhdueshme për përsosmëri dëmtojnë vetëvlerësimin e një fëmije. Kur ai ndien se kurrë nuk është “mjaftueshëm i mirë”, kjo ndjenjë e ndjek në moshë madhore. Këta individë dyshojnë në aftësitë e tyre e ta kenë të vështirë të pranojnë lavdërime apo dashuri pa kushte.
5. Vështirësi në besim
Nëse një fëmijë mësohet se gabimet nuk falen, rritet me ndjenjën se të tjerët do ta gjykojnë ashpër. Në moshë madhore, kjo shndërrohet në vështirësi për të besuar njerëzit përreth. Në vend që të relaksohen në marrëdhënie, mbajnë distancë e analizojnë çdo veprim të të tjerëve.
6. Nevoja për miratim
Psikologët theksojnë se individët që janë rritur në mjedis disiplinor kërkojnë vazhdimisht miratim e vlerësim nga të tjerët, qofshin figura autoriteti, partnerë apo miq. Ata janë mësuar me idenë se dashuria duhet “fituar” dhe jo dhënë pa kushte, gjë që mund të sjellë lodhje emocionale dhe ndjenjë tensioni të përhershëm. /A.Z/UBT News/
